Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka folur për arrestimin e ish-sekretarit të kësaj ministrie, Burim Rrecit.
Hasani ka thënë se Rrecin e ka shkarkuar si pasojë e ankesave të ndryshme.
Pas këtij shkarkimi ai tha se është shkarkuar nga ministria me vendim të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Kemi pasur ankesa të drejtpërdrejta të palëve, por Fatmir u bojke që s’kam informatë dhe nuk jam i involvuar në këtë punë. Kur e shkarkova më tha jo e kam mik shtëpie dhe nuk ta fali”, ka thënë ai për T7.
Rreci ka pasur disa hyrje-dalje në këtë funksion. Ai u emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së në vitin 2018, derisa në qeveri ishte Ramush Haradinaj. Ky emërim ishte kundërshtuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe nga Ambasada Britanike, pasi i njëjti nuk i kishte plotësuar kushtet për këtë pozitë.
Në ndërkohë, Rreci ishte suspenduar nga MTI-ja edhe më 29 gusht të vitit 2018 nga ministri i atëhershëm i MTI-së, Bajram Hasani, më 29 gusht 2018. Një javë pas këtij vendimi, kryeministri i atëhershëm Haradinaj e kishte liruar Hasanin nga detyra me arsyetimin se një gjë të tillë e ka kërkuar Nisma.
Një javë pas shkarkimit të ministrit Hasanit, Rreci ishte rikthyer në pozitën që kishte më parë.
Në arsyetim të vendimit për rikthim në punë të Rrecit, thuhej se ka pasur shkelje materiale dhe procedurale në vendimin për pezullim.
Ndërkaq, më 11 nëntor të vitit 2019, Burim Rraci sërish bëhet lajm, pas një incidenti që kishte ndodhur në ministrinë ku ai ishte i angazhuar. Sipas informatave, Rreci ishte sulmuar në zyrën e tij fizikisht nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.
Pas këtij incidenti, Krasniqi ishte suspenduar nga puna.
Ndërkaq, Rraci kishte qëndruar në pozitën e Sekretarit të MTI-së deri në shkurtin e 2020-ës, kur Qeveria “Kurti” e kishte vënë atë në listë rezervë, bashkë me disa sekretarë tjerë.
Mirëpo, ky vendim i qeverisë “Kurti” u anulua me ardhjen e qeverisë “Hoti”. Në muajin qershor, në mbledhjen e rregullt të qeverisë së Kosovës, me propozim të ministrit të MTI-së, Vesel Krasniqi, u kërkua rikthimi në detyrë i Rrecit.
“Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i caktuar me vendimin e qeverisë numër 1/26 të datës 29.01.2018, duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, kishte thënë ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi më 22 qershor të atij viti.
Ndërkohë, mediumi malazez “Vijesti” ka raportuar dje se ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci, është arrestuar në pikën kufitare Debeli Brijeg, pasi në veturën e tij janë gjetur rreth 50 kilogramë marihuanë.
Sipas informatave Rreci është arrestuar herët në mëngjes të martën, në terminalin e daljes.
“Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave të mëngjesit të sotëm rreth orës 03:30 parandaluan kontrabandën e lëndës bimore e dyshuar si lëndë narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë. BR është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të paautorizuar. Prodhimi, posedimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftim.