Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se sot kanë filluar të ekzekutohen dhe tu dalin qytetarëve nga 170 eurot e premtuara si pjesë e pakos emergjente, për të gjithë punëtorët e regjistruar në sektorin privat.
Bajrami ka thënë se është e nevojshme të zbatohen udhëzimet e institucioneve shëndetësore, gjatë kryerjes se veprimeve bankare për tërheqjen e mjeteve.
“Sot pas ekzekutimit me sukses të masës 15, Ministria e Financave ka kënaqësinë që t`ju njoftoj se gjatë ditës nga Thesari janë ekzekutuar edhe 80,199 pagesa për përfituesit e masës 3a, prej të cilëve 3,369 mijë persona marrin pagesë të dyfishtë, ngaqë nuk kanë përfituar herën e parë.
Për masën 3a, mjetet mund të tërhiqen duke filluar nga sot në zyrat bankare, ndërsa pagesat e radhës do të kryhen në vazhdimësi nga nesër, në përputhje me listat të cilat pranohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përgjegjëse për zbatimin e masave”, thuhet në njoftimin që mban vulën e ministres Hykmete Bajrami.
Tutje thuhet se bazuar në dinamikën e paraparë të ekzekutimit të pagesave që kushtëzohen nga kapacitetet teknike por edhe zbatimi i udhëzimeve të MSH dhe IKSHPK, pagesat e pakos emergjente janë strukturuar dhe do të kryhen në dy ditët në vazhdim, për çka do të ju njoftojmë.
“Ministria e Financave ju rikujton se është e nevojshme të zbatohen udhëzimet e institucioneve shëndetësore, gjatë kryerjes se veprimeve bankare për tërheqjen e mjeteve”, përfundon njoftimi.