Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj një thirrjeje të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila u ka kërkuar bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji elektrike.
Bajrami e ka quajtur këtë thirrje “skandaloze dhe pa asnjë fije përgjegjësie”, në kohën kur sipas saj, ende nuk janë lëshuar faturat për muajin qershor nga KEK-u, që shërben si furnizues i mundësisë së fundit.
“Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë, kur vetë KEK-u nuk i ka faturuar ato për muajin qershor? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë?”, ka pyetur Bajrami, duke kritikuar edhe udhëzuesin e ZRRE-së për faturimin.
Ajo ka theksuar se pas daljes së bizneseve në tregun e lirë më 1 qershor, importi i energjisë është rritur tetë herë, ndërkohë që bizneset nuk e dinë ende se sa do të jenë faturat për muajin qershor dhe korrik. Sipas saj, kjo paqartësi po rrezikon operimin e shumë bizneseve dhe rrezikon mijëra vende pune.
“Ju po injoroni realitetin e bizneseve. Fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë vendimtare për ekzistencën e tyre. Me thirrje absurde si kjo, po i shtyni drejt mbylljes,” ka paralajmëruar deputetja e LDK-së.
Bajrami ka ngritur edhe shqetësimin se çfarë do të ndodhë pas datës 1 gusht me bizneset që nuk kanë arritur të lidhin kontrata:
Do t’i lini pa rrymë?
Do t’i mbyllni?
Do t’i lini mbi 100 mijë punëtorë në rrugë? – ka pyetur ajo.
Deputetja ka vënë në dyshim edhe pretendimet e ZRRE-së për mbështetjen nga Gjykata, duke theksuar se janë të shumta vendimet e Gjykatës Komerciale që, sipas saj, kanë qenë në favor të bizneseve dhe jo të Rregullatorit.
Në fund, ajo ka bërë thirrje publike për hetim nga Prokuroria, duke kërkuar zbardhjen e të gjithë zinxhirit vendimmarrës në sektorin e energjisë.
“Nuk mund ta sakrifikojmë krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë,” ka përfunduar Bajrami.
Postimi i plotë:
Zyra e Rregullatorit për Energji, si një ndër akterët kryesorë që bart mbi supe përgjegjësinë për gjithçka që po ndodh në sektorin e energjisë në vend, sot paska dalë me një thirrje skandaloze.
Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji, kur vetë KEK-u, si furnizues i mundësisë së fundit, ende nuk i ka faturuar bizneset për muajin qershor?
A keni ju ndonjë përgjegjësi ju për këtë?
Çfarë thotë udhëzuesi juaj për faturimin?
E vetmja gjë që dihet është se prej 1 qershorit, kur bizneset kanë dalë në ”treg të lirë”, importi i energjisë elektrike është rritur TETË HERË.
Pra, këto biznese ende nuk e dinë sa do të jenë faturat e qershorit e të korrikut, ndërkohë ju u bëni thirrje të lidhin kontrata me operatorë privatë/tregtarë të energjisë.
Ju nuk po merreni me realitetin e këtyre bizneseve. Ju po e injoroni faktin se fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë faktorët vendimtarë nëse këto biznese do të vazhdojnë operimin apo jo.
Prandaj, pa asnjë fije përgjegjësie, bëni thirrje të tilla absurde.
Çka do të bëni me 1 gusht për bizneset të cilat nuk do të lidhin kontrata?
– do t’i leni pa rrymë,
-do t’i mbyllni ato,
-do t’i leni mbi 100 mijë punëtorë në rrugë,
Edhe një gjë: paskeni thënë se Gjykata ju ka dhënë të drejtë, por s’po dihet ku dhe kur, sepse në muajin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale, të cilat janë në favor të bizneseve jo në favor tuajin.
I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë tërë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë. Nuk mundemi me sakrifiku krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë.