Ndërsa myslimanët anembanë botës po e festojnë Fitër Bajramin me gëzim e begati, në Rripin e Gazës, kjo ditë nisi mes dhimbjes, humbjeve dhe mungesës së ushqimit. Lufta e pandalshme mes Izraelit dhe Hamasit ka shkatërruar çdo mundësi për festë, ndërsa populli palestinez lufton për mbijetesë mes rrënojave.
Të dielën, palestinezët u mblodhën për faljen e Bajramit, por jo në xhami, sepse shumë prej tyre tashmë janë të rrënuara. Në qytetin Deir al-Balah, Adel al-Shaer mes lotësh tha se ky është “Bajrami i Trishtimit”, pasi lufta i ka marrë gjithçka.
“Humbëm të dashurit tanë, fëmijët tanë, jetën tonë dhe të ardhmen tonë. Humbëm studentët tanë, shkollat dhe institucionet tona. Humbëm gjithçka”, u shpreh ai, duke treguar se 20 anëtarë të familjes së tij janë vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë katër nipër të vegjël vetëm disa ditë më parë.
Në vend të rrobave të reja dhe tryezave plot ushqim, shumica e 2 milionë banorëve të Gazës po luftojnë për të siguruar kafshatën e gojës. Furnizimet janë gjithnjë e më të pakta dhe ndihmat humanitare po arrijnë me vështirësi.
Izraeli rifilloi sulmet në fillim të marsit, pasi armëpushimi me Hamasin u prish, duke e bërë jetën në Gaza edhe më të pasigurt. Për palestinezët, ky Bajram nuk është festë – është thjesht një ditë tjetër mbijetese mes luftës dhe shkatërrimit.