Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë së Kosovës për hetime brenda KEK-ut, KOSTT-it, ZRrE-së, NOA-s dhe Qeverisë/Ministria e Ekonomisë.
Kjo për faktin se sipas saj, korrupsioni më i madh po ndodh me energji.
Më poshtë, deputetja e LDK-së ka listuar ato për të cilat mendohet se duhet të kryhen hetime, dhe siç shkruan ajo, kushdo që që e zbardh këtë skemë do të hyjë në historinë e këtij shteti si patrioti më i madh i pasluftës.
Postimi i plotë:
Prokuroria e Kosovës duhet ta dijë se s’ka korrupsion më të madh sesa korrupsioni që po ndodhë me energji
Duhet të hetohet çdo gjë.
Duhet të hetohet KEK-u: Pse remontet bëhen dimrit? A është gjeneruar energji më shumë verës e natën kur nuk kemi konsum edhe aq, më pak ditën duke ndikuar në rritjen e importit? Të hetohen tenderët dhe ndikimi i realizimit të tyre në kapacitetet gjeneruese dhe rritjen e importit?
Duhet të hetohet Qeveria/Ministria e Ekonomisë dhe ndërhyrjet politike në KEK, ZRrE dhe KOSTT.
Duhet të hetohet KOSTT-i: Si është e mundur që çmimet në ALPEX janë më të shtrenjta sesa në HUPX gjatë tërë vitit 2024 dhe gjatë viti 2025? Si është lejuar të kalojë importi i energjisë me çmim transporti deri në 800 euro për MWh?
Duhet të hetohet ZRrE-ja, sepse kjo licencon KEK-un, KOSTT-in dhe të gjithë operatorët privatë.
Duhet të hetohet NOA si tregtari më i madh i energjisë dhe lidhjet e kësaj kompanie me Serbi e me këdo në Kosovë si dhe kompanitë dhe palët e tjera përfituese në krejt këtë situatë.
Kushdo që e zbardh këtë skemë do të hyjë në historinë e këtij shteti si patrioti më i madh i pasluftës. Përndryshe, nëse ky skandal i përmasave të Watergate heshtet dijeni të gjithë se do të shkatërrojë ekonominë e këtij vendi dhe do ta varfërojë çdo familje në Kosovë.
Mos harroni, në Kosovë janë mbi 700 mijë njehsorë/matës të energjisë – një euro më shumë në muaj për secilin, llogaritni sa kushton, por rritja prej 128% sa mendoni se është? E rritja deri në 260% për 1300 biznese – sa?
Krejt këto kanë çmimin e të ardhmes së këtij vendi – nuk guxojmë me u bë peng i këtyre përfituesëve, andaj na duhet reagim!
Një shtet dhe një shoqëri nuk mund të dorëzohen para veprës më të madhe korruptive që po ndodh në historinë e vendit tonë.
Falënderoj gazetarët që kanë shpërfaqë fakte shokuese dhe na i kanë hapë sytë me gisht siç thotë populli, për me pa se çka po ndodhë në sektor.