Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk është në dijeni për “pazare” për sigurimin e votave për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi.
Ajo pas dështimit të seancës së 20’të për konstituimin e Kuvendit, është pyetur edhe për deklaratën e deputetes boshnjake Duda Balje e cila konfirmoi sot se i është ofruar punë si profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Haxhiun. Gërvalla tha se Balje dhe deputeti tjetër Adem Hoxha duhet të marrin pjesë në votim, “bllokuese sepse nuk jemi këtu në pazar, ku shitemi e blihemi”, shkruan Reporteri.net.
“Absolutisht nuk kam asnjë informacion për këtë. U bëj thirrje edhe znj.Balje edhe z.Hoxha, që të heqin dorë nga qasja bllokuese sepse nuk jemi këtu në pazar, ku shitemi e blihemi. Është çështje parimore konstituimi i Kuvendit”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se ka pasur biseda të vazhdueshme me deputetët në fjalë në mënyrë që të marrin pjesë në votim.
“Nuk kam informacione të tilla vërtetë. Unë nuk di për pazare të kësaj natyre. Unë di për biseda të vazhdueshme për t’i vetëdijësuar që të marrin pjesë në votimin e Kuvendit”, tha Gërvalla para gazetarëve.
Balje tha se ka pasur 2-3 thirrje për këtë çështje, por se ka refuzuar duke e cilësuar këtë si të papranueshme, shkruan Reporteri.net.
“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje, që s’janë persona direkt, të politikës. Janë shoqëri. Para disa vite kam apliku për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse kam shtetësinë e Maqedonisë dhe e flas mirë gjuhën. Kam plotësu krejt kushtet. Më s’kam apliku. Tash kanë thanë se ka mundësi me bisedu për vendin e punës”, ka thënë Balje.
Ajo nuk tregoi se kush e ka telefonuar, teksa mbrëmë u pretendua se personi që e ka telefonuar ishte politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhidi.
“Nuk kanë thanë direkte, por mënyra…Ka qenë një shok, një mjek i Kosovës. Tash emri s’më kujtohet. Kam refuzu. Për mua ka qenë e papranueshme, mënyra qysh kanë ofru këto…2-3 thirrje”, tha Balje.