Ish-portieri i Real Madridit, Tomas Mejias Osorio, mund të jetë transferimi më bombastik në Superligën e Kosovës, me dy klubet më të mira në vend, Ballkani dhe Drita që janë në garë për shërbimet e tij, siç mësojnë burimet e Gazetës Nacionale.
Nacionale merr vesh se menaxheri i lojtarëve, Urim Sjediu e ka propozuar këtë portier te dy klubet kryesore në Kosovë, e gjithashtu edhe në Kategorinë Superiore në Shqipëri, me portierin në fjalë që mund të transferohet këtë verë.
Kujtojmë se dy skuadrat më të mira në vitet e fundit në Kosovë, i kanë pasur punët mirë deri më tani me portierë, por në këtë moment skuadrat janë në një moment ku e ardhmja është e pasigurt.
Kjo për shkakun që Faton Maloku, portieri i parë i Dritës u lëndua gjatë sezonit që lamë pas, ndërsa në anën tjetër Stivi Frashëri i Ballkanit e përfundon marrëveshjen pas kualifikimeve në gara evropiane dhe ka shumë gjasa që ai të mos vazhdojë me kampionin e dyfishtë të Kosovës.
Në anën tjetër, Mejias, 34-vjeçar, është një portier me shumë përvojë, i cili ka luajtur për skuadra të mëdha evropiane, ndër to edhe gjiganti botëror, Real Madrid, ku ka një paraqitje me skuadrën e parë.
Nëse transferimi i portieri spanjoll bëhet këtë verë në Superligën e Kosovës, ai padyshim do të jetë emri më i madh që ka ardhur në elitën e futbollit kosovar.
Tomas Mejias që në vitet e fundit ka pasur rënie në karrierën e tij, por të gjithë mund ta kujtojnë kur skuadra e tij Middlesbrough në vitin 2015, sa ishte ai në portë, e eliminuan Manchester Cityn nga Kupa FA me rezultat 2:0.
Në të njëjtin vit, ai ishte heroi i skuadrës së tij, kur priti penalltinë e legjendës Wayne Ronney, për ta eliminuar Manchester Unitedin nga Kupa EFL.
34-vjeçari këtë sezon për skuadrën e tij aktuale, AD Ceuta, u paraqit kundër Barcelonës në humbjen e thellë me rezultat 5:0 në Kupë të Mbretit në 1/8 e finales.
Karriera e tij e begatshme ka bërë që ai të paraqitet në liga të forta si La Liga, Championship, Superligën e Qipros e në Australi, teksa momentalisht ka kontratë me skuadrën nga niveli i tretë i ligës spanjolle, Ceuta, deri në fund të këtij muaji, ku do të jetë lojtar i lirë./ Nacionale/