Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, nuk ka arritur ta kalojë rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Portokallezinjtë e Suharekës, të martën, në ndeshjen e kthimit kanë pësuar humbje nga kampioni i Lituanisë, Zhalgiris, pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta, me rezultat 1:0. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 0:0 dhe duke pasur parasysh se edhe ndeshja e parë në Prishtinë kishte përfunduar baras (1:1), u luajtën vazhdimet.
Për dallim nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri” ku Ballkani kishte mbizotëruar plotësisht, në ndeshjen e kthimit ishte skuadra lituaneze e cila e dominoi lojën dhe krijoi disa raste shënimi, teksa goli që vendosi fituesin e ndeshjes u realizua në minutën e 97-të nga zëvendësuesi Mathias Oyewusi në minutën e 68-të.
Pas eliminimit nga garat e Ligës së Kampionëve, kampionët e Kosovës do t’i vazhdojnë garat evropiane në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.