Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur në favor të FC Ballkanit në lidhje me ndeshjen e javës së 21-të të Albi Mall Superligës ndaj FC Feronikelit ’74. Sipas vendimit, kjo ndeshje regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Ballkanit, pasi është konstatuar se skuadra nga Drenasi kishte aktivizuar në mënyrë të parregullt lojtarin Lavdim Zumberi.
Bazuar në të dhënat nga sistemi FIFA Transfer Matching System (TMS), lojtari figuron ende me status aktiv si pjesë e klubit FC Baden 1897 në Zvicër. Pas shqyrtimit të provave dhe dokumenteve, Komisioni i Garave pranoi ankesën e FC Ballkanit dhe vendosi për regjistrimin e fitores në tavolinë për ekipin nga Suhareka.
Ky vendim mund të ketë ndikim të rëndësishëm në garën për kreun e Superligës, duke e forcuar pozitën e FC Ballkanit në renditje.