Pasi u konfirmua kampion për herën e tretë rresht vikendin e shkuar, Ballkani të mërkurën e ka fituar edhe Kupën e Kosovës në futboll.
Në finalen e luajtur të mërkurën në Drenas, Ballkani e mposhti Prishtinën me rezultatin 4:2 pas penalltive pasi koha e rregullt dhe dy vazhdimet nga 15-të minuta përfunduan 2:2.
Bleart Tolaj ishte lojtari i vetëm që e humbi penalltinë te Ballkani, ndërsa te Prishtina nga pika e bardhë dështuan Albin Krasniqi e Ardian Muja.
Me këtë triumf, Ballkani e mbylli edicionin 2023/24 me dy trofe, ndërsa për herë të parë në histori e fitoi Kupën. Në anën tjetër, Prishtina jo vetëm që nuk arriti ta mbroj këtë trofe por edhe mbeti pa dalë në garat e Evropës për edicionin e ri.
Sulmuesi Ëalid Hamidi zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të dhe pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Ballkanit 1:0.
Pjesa e dytë nisi me 15-të minuta vonesë pasi portieri i Ballkanit, Enea Koliçi u godit në kokë nga tifozët e Prishtinës.
Meriton Korenica e dyfishoi epërsinë e Ballkanit në minutën e 52-të, përpara se Prishtina të kundërpërgjigjet me dy gola të shpejtë brenda katër minutave.
Rezervisti Albin Krasniqi i shënoi të dy golat për Prishtinën, të parin nga penalltia në minutën e 78-të dhe të dytin në minutën e 82-të për 2:2 duke vulosur rezultatin pas 90-të minutash lojë.