Ashtu siç pritej, Ballkani ka kaluar pa ndonjë problem në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e dominoi në tërësi edhe ndeshjen e kthimit ndaj La Fioritas, e cila u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ballkani shënoi fitore 6:0 për të kaluar tutje me rezultatin e përgjithshëm 10:0 – shkruan Gazeta Express.
Albion Rrahmani shkëlqeu sonte me het-trik. Sulmuesi 21 vjeçar shënoi në minutat 6’, 8’ dhe 69’.
Leonit Abazi shtoi dy gola në këtë përballje, në minutat 73 dhe 90+1, në listën e golashënuesve u shënua edhe Ermal Krasniqi, i cili shënoi në minutën e 75-të
Vlen të theksohet se mysafirët luajtën më një futbollist më pak nga minuta e 53-të, kur pas kartonit të dytë verdhë u përjashtua Matteo Semperini.
Ballkani në raundin e tretë do të përballet me fituesin e duelit mes Sutjeskas nga Mali i Zi dhe Klaksvik nga Ishujt Faroe.
Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte mbyllur baras dhe pa gola. /Gazeta Express/