Ballkani është një hap larg përsëritjes së suksesit të vitit të kaluar, për tu kualifikuar në fazën e grupeve të Conference League.
Kampioni i Kosovës ka mposhtur Bate Borisovin me rezulat 4-1, në ndeshjen e parë të play-offit, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ishte skuadra bjelloruse e cila kaloi e para në epërsi me golin e Denis Laptev në minutën e 10-të.
Ballkani nuk u dorëzua dhe arriti ta barazonte rezultatin pas 20 minutave me qëndërmbrojtësin Bajram Jashanica i cili shënoi për 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Kampioni i Kosovës shënoi tre gola të shpejtë.
Bleart Tolaj përmbysi rezultatin në minutën e 58-të ndërsa nëntë minuta më vonë shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Ballkanin.
Golin e katërt për skuadrën nga Suhareka e shënoi futbollisti Armend Thaqi në minutën e 89-të.
Ballkani javën e ardhshme luan edhe ndeshjen e kthimit me Bate Borisovin, e cila zhvillohet në “Városi Stadion” të Hungarisë më 31 gusht./IndeksOnline/