REAGIM
Sezonin e kaluar kemi heshtur. Kemi heshtur edhe pse na është vjedhur titulli. Por tani ka ardhur koha të reflektojmë, sepse kështu më nuk mundemi!
Kryeshefi i referimit, Përparim Hasani, me ekipen e tij, sezonin e kaluar na ka dëmtuar në 13 ndeshje direkte, në të cilat na janë vjedhur pikët dhe, si pasojë, e kemi humbur titullin. Po ashtu, na është vjedhur edhe Kupa e Kosovës. Nëse nuk jemi të saktë 100% në këto të dhëna, le t’i marrin ekspertët botërorë dhe t’i shikojnë të gjitha 36 lojërat e Superligës. Nëse nuk del e saktë kjo, ne do të dalim publikisht të kërkojmë falje.
Këtë sezon, kryeshefi, së bashku me piunet e tij, paska nisur që në fillim të kampionatit ta bëjë ligjin në futboll dhe të vendosë, sikurse sezonin e kaluar, se kush do të bëhet kampion dhe kush do të luajë në Evropë.
Edhe pse sezonin e kaluar kemi dërguar e-mail zyrtarë me kërkesën që disa gjyqtarë të mos delegoheshin në ndeshjet tona, për çudi, pikërisht ata gjyqtarë na delegoheshin në xhiron e radhës.
Tani më nuk mund të heshtim, sepse po dëmtohet djersa jonë – djersa e të gjithëve: e lojtarëve, stafit, investitorit dhe tifozëve.
Ne nuk kemi absolutisht asgjë kundër klubit të Malishevës. Ua urojmë pikët e plota, sepse jemi të bindur se ata nuk kanë dorë në referimin e sotëm. Por, për matematikat e atyre që qëndrojnë më lart, sot ata dolën fitimtarë.
Sot është vendosur ndeshja 100% nga Alban Shala dhe Valon Bajgora.
Në minutën e 52-të, Valentin Serebe rrëzohet në zonën e Malishevës pas një ndërhyrjeje që, nga pamjet, duket e mjaftueshme për akordimin e penalltisë. Një penallti që do të na jepte mundësinë të avanconim në 0-2.
Në vend të kësaj, gjyqtari kryesor, Alban Shala, e ndëshkoi Sereben me karton të verdhë për simulim. Edhe më i dhimbshëm është fakti se nga dhoma e VAR-it, ku ndodhej Valon Bajgora, nuk pati ndërhyrje apo reagim për rishikimin e këtij vendimi.
Gjithashtu, në minutat e fundit, pas një goditjeje nga këndi, sipas vlerësimit tonë, ndaj lojtarit tonë shkaktohet faull në zonë. Pikërisht nga vazhdimi i këtij aksioni vjen goli.
Dhe kështu, këta “heronj” e përfundojnë misionin e tyre, pikërisht ashtu siç duket se ishte paracaktuar para fillimit të ndeshjes.
———————-
E dimë se ky reagim, për shkak të ashpërsisë së tij, ndoshta nuk do t’i pëlqejë as Federatës së Futbollit të Kosovës. Por kemi vendosur të reagojmë kaq fuqishëm, sepse besojmë se ky është momenti i fundit për të reflektuar dhe për ta rregulluar njëherë e përgjithmonë çështjen e referimit.
Por jemi të mërzitur.
Krejt opinioni shqiptar, kudo në botë, e di se si futbolli i Kosovës është njohur dhe përfaqësuar në arenën evropiane përmes klubit tonë. Të gjithë e dinë se si kemi performuar në Evropë dhe çfarë historie kemi shkruar. Kur klubet e tjera ishin vetëm vizitore në Evropë, FC Ballkani garonte, fitonte dhe e përfaqësonte futbollin e Kosovës me dinjitet.
Kemi dhënë gjithçka për ta ngritur emrin e futbollit kosovar. Kemi investuar, kemi sakrifikuar dhe kemi luftuar në çdo ndeshje që flamuri dhe emri i Kosovës të përfaqësoheshin denjësisht në arenën ndërkombëtare.
Mjafton të shikohet se sa futbollistë të dalë nga FC Ballkani sot kanë arritur të veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe të Kombëtares së Shqipërisë. Kjo është puna jonë. Ky është investimi ynë. Kjo është ajo që FC Ballkani i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë futbollit shqiptar.
Prandaj, pas gjithë asaj që kemi investuar, sakrifikuar dhe dhënë për ngritjen e imazhit të futbollit të Kosovës, nuk do të lejojmë që djersa jonë të nëpërkëmbet nga askush.
Nuk po kërkojmë favore. Nuk po kërkojmë që dikush të na falë pikë. Nuk po kërkojmë të na bëjë askush kampionë, por vetem drejtësi në referim.
Kërkojmë vetëm drejtësi. Kërkojmë trajtim të barabartë. Kërkojmë që atë që e fitojmë në fushën e lojës, të mos na e marrin jashtë saj.
MJAFT KEMI HESHTUR!
Media
FC BALLKANI










