BALOTAZHI
Në prag të balotazhit, kisha dashtë që qytetarët ta shohin këtë proces me përgjegjësi dhe maturi, jo me tifozllëk politik. Votimi nuk është garë mes ngjyrave apo partive, por është zgjedhje për cilësinë e jetës sonë të përditshme.
Është koha që qytetarët të kërkojnë rezultate, jo premtime. Të kërkojnë vizion, jo fjalë boshe. Qytetet tona kanë nevojë për rrugë të ndërtuara me standarde, për ajër të pastër, për hapësira publike të mirëmbajtura, për menaxhim modern të mbeturinave dhe për qytete që pasqyrojnë aspiratën tonë drejt Europës.
Ne duhet të kërkojmë qytete pa qen endacakë, me shërbime cilësore për të gjithë qytetarët, me transport publik efikas dhe trafik të rregulluar. Po aq e rëndësishme është që të rinjtë tanë të kenë hapësira të dedikuara për sport e rekreacion dhe terrene moderne që i motivojnë, i frymëzojnë dhe i mbajnë afër komunitetit.
Balotazhi nuk është moment për ndarje, por për reflektim. Le ta kthejmë këtë proces në një garë idesh dhe projektesh për të ardhmen e qyteteve tona, për një jetesë më të mirë, më të pastër dhe më dinjitoze.
Vetëm duke u udhëhequr nga arsyeja, jo nga tifozllëku, mund të ndërtojmë qytete të suksesshme dhe të denja për gjeneratat që vijnë.
@highlight

			








