Gjatë javës së parë të muajit maj, Kosova tregoi se betejën me pandeminë COVID-19 mund ta fitojë dhe e fiton.
Pas angazhimit të pashoq dhe punës së pandërprerë të punëtorëve shëndetësorë për identifikimin, izolimin dhe shërimin e personave të prekur nga COVID-19 dhe përpjekjeve të policisë për të zbatuar masat e IKSHPK, për një javë rresht numri i të infektuarve zvogëlohej kurse i të shëruarve rritej, shumëfish. U gëzuam të gjithë.
Mirëpo, fatkeqësia e kësaj beteje ishin dhe mbetën njerëz të papërgjegjshëm të „politikës“ në nivel qendror dhe lokal dhe partive politike e disa mediave që, jo vetëm penguan në format më të egra punën e institucioneve shëndetësore dhe shtetërore në zbatimin e masave mbrojtëse kundër pandemisë, duke bërë thirrje publike për padëgjueshmëri qytetare e institucionale ( si presidenti), por edhe qëllimisht bojkotuan e refuzuan bashkëpunimin me institucionet shėndetësore kompetente, nga Kuvendi i Kosovës, komunat e ndryshme, deri te partitë politike të caktuara.
Përpjekja titanike për përvetësim “të meritave” me qëllim të keqpërdorimit të punës, angazhimit të pandërprerë të institucioneve shëndetësore dhe të policisë së Kosovës, të IKSHPK dhe të MSH, si është bërë e po bëhet deri në banalizim neveritës nga kreu i komunës së Gjilanit dhe bashkëpunëtoret e tij më të afërt, madje duke mos mësuar asgjë fare as nga shembulli i vet personal i mosrespektimit të masave për parandalim, është e palejueshme, e dëmshme dhe rrezikon jetët e njerëzve.
Të mbledhësh meritat e paqena me deklarata paushalle „Gjilani e fiton luftën kundër Cornavirusit“, „nga sonte Gjilani s’ka më raste me covid-19“, dhe, vetëm një ditë më vonë të dalin 10 raste të reja infektimi në qytet, është jo vetëm marrëzi personale por edhe papërgjegjësi politike, në tehun e veprës penale, nga pozita e kryetarit të Komunës.
Keqpërdorimi i kësaj fatkeqësie shëndetësore është i pranishëm te shumë politikanë të papërgjegjshëm. Por mënyra dhe forma se si kjo bëhet nga kreu i komunës në Gjilan, duke përcjellur drejtëpërdrejtë porosi të gabuara personale, politikisht dhe etikisht të papërgjegjshme dhe profesionalisht jokompetente te qytetarët, me ngutinë e fushatës elektorale në kohë lufte kundër pandemisë vdekjeprurëse, është krim i llojit të vet.
Prandaj, ti qytetar/e e Gjilanit, rri në shtëpi, ndihmo aty ku mundesh, solidarizohu me ata që kanë nevojë për ty dhe ndihmën tënde, mos dëgjo broçkulla e marrëzi, mos u mashtro nga papërgjegjësia njerëzore e injorantëve politikë, ruaje veten dhe të tjerët.
Mos merr përgjegjësi për tragjedi njerëzore!
Coronavirusi nuk vjen vetë. E bartin njerëzit, madje duke e kërkuar enkas dhe qëllimisht, atje ku ai rri fshehur.
#Mekujdesepanikë!
#Mosubëipapërgjegjshëm!
#Mosvritnjerëz!