Raportet e Kosovës me Serbinë, përparimi në dialogun mes dy vendeve, dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoçiqit në Kosovë, kanë qenë disa prej çështjeve që kanë diskutuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Prishtinë, sipas Qeverisë së Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar për media, Qeveria e ka përmendur nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë, në mënyrë që ajo të respektohet dhe zbatohet.
Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh është arritur mes dy vendeve në shkurt të 2023-ës në Bruksel, dhe më pas palët janë pajtuar për një aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por nuk është bërë drejtim drejt zbatimit.
Sa i përket ekstradimit të Radoiçiqit, Qeveria ka vlerësuar se dorëzimi i tij i shërben ligjshmërisë, drejtësisë, paqes dhe sigurisë.
Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerje të sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, në të cilin është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e fajëson shtetin serb për organizim të sulmit, por Beogradi zyrtar mohon gjithçka.
Autoritetet drejtësisë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast kundër Radoiçiqit dhe dhjetëra personave tjerë, tre prej të cilëve janë të arrestuar në Kosovë.
Radoiçiq dhe të tjerët besohet se janë të lirë në Serbi.
E ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se në veri gjatë vitit të fundit ka pasur përmirësime sa i përket situatës së sigurisë atje.
Megjithatë, O’Brien theksoi se pas Banjskës, Serbia ka ndërmarrë hapa që të tërheqë elementet e saj të dhunshme, çka sipas tij, kjo ka ndikuar në të mirë të situatës.
Sipas tij, e rëndësishme është që Kosova t’u ofrojë besim qytetarëve në veri se ata mund të ketë një të ardhme, ndërsa theksoi se kjo ka të bëjë me “njerëzit që u besojnë institucioneve”.
“Është e rëndësishme që qeveria juaj t’u japë besim qytetarëve në veri që kanë të ardhme këtu si individ dhe si pjesëtarë të komunitetit serbë. Një besim i tillë e bën çdo gjë shumë më të lehtë edhe nëse marrim hapa për planifikim, ndërlidhje dhe të mos ketë dhunë. Në fund të fundit ka të bëjë me njerëzit që u besojnë institucioneve.
I pyetur se a sheh lidhjen ndërmjet shtetit serb dhe Banjskës, O’Brien u përgjigj “mendoj se kemi folur shumë për këtë”.
“Ajo që shohim është që shteti serb ka ndërmarrë veprime që dhuna të jetë më pak e mundshme dhe për neve kjo është shumë e rëndësishme”.
Ai theksoi se Radoiçiqi, i cili e ka pranuar sulmin në Banjskë, duhet të ndiqet penalisht, për çka theksoi se u është premtuar atyre se do të ndodhë.
O’Brien foli gjithashtu edhe për Asociacionin. Ai ka thënë se Kosova duhet të dërgojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kushtetuese.
“Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese është zotim bazë. Nuk e presim vetëm nga kryeminstri Kurti, por kanë qenë edhe disa kryeministra të mëhershëm që e kanë bërë, prandaj e presim këtë edhe nga Kosova”, tha O’Brien.
O’Brien theksoi se Asociacioni është mënyrë që komunat e ngjashme të shkëmbejnë përvoja dhe të flasin se si do t’i trajtojnë problemet.
“Asociacionet janë shumë të zakonshme në Evropë, sa e dijmë ne, janë mbi 400 asociacione të tilla nëpër tërë Evropën. Asociacioni nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër, por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim ne në Italinë Veriore apo në ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, tha O’Brien në “Politiko”
Ai theksoi se është çasti që qytetarët serbë të jetojnë plotësisht në Kosovë, prandaj sipas tij, është e rëndësishme që Kosova duhet të dërgojë Asociacionin në Kushtetuese, derisa theksoi se “ai shihet si diçka normale në tërë Evropën”.
“Gjithçka po zgjat më shumë sesa që duhet”.
Kështu e përshkruan procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, i cili theksoi se SHBA e mbështet këtë proces.
Ai theksoi se vendi duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi, pasi sipas tij, në të kundërtën Kosova nuk mund ta ketë atë për një kohë të gjatë.
“Duam që të dy vendet dhe të gjitha vendet e rajonit të ecin sa më shpejt që është e mundur. Duam që kufijtë të rrinë të hapur që shoqëritë të punojnë bashkërisht në eksportimin e të mirave, mallrave dhe që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër. Duam që vendi ta shfrytëzojë këtë mundësi sepse nganjëherë e keni një mundësi dhe nëse nuk do ta shfrytëzoni, nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë”, tha O’Brien në “Politiko” të Kanal 10.
I pyetur se a mori ndonjë porosi apo sinjal pozitiv nga kryeministri lidhur me dialogun gjatë takimit, O’Brien tha se Kurti e kupton që për Kosovën tashmë është një çast unik, ndërsa përmendi në veçanti tranzicionet në BE dhe SHBA që pritet të ndodhin, e që sipas tij, këto ofrojnë një mundësi të mirë për Kosovën.
“Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dijmë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha O’Brien
Ai ka theksuar se është momenti që Kosova të përkufizojë pamjen e vet, ndërsa ka shtuar se “Kurti e kupton këtë”.
“Dëshiroj që ato të zbatojnë plotësisht zbatimet e marra me marrëveshje. Jemi në një çast interesant, kur kryeministri Kurti, mendoj se e kupton se ka mundësi për të thënë, kjo është se si duam që Kosova të duket dhe që të formësojë mënyrën se si reagon bashkësia ndërkombëtare”, tha O’Brien.
Tutje, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, theksoi se rritja ekonomike e të dyja vendeve mund të bëhet nëse ato zbatojnë marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, duke theksuar se “kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.
“Ndërsa mendoj se edhe presidenti Vuçiq e sheh si një mundësi që të rritet ekonomia shumë më shumë se që është rritur dhe Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet që të ketë një akomodim politik përgjatë viteve të ardhshme përkitazi me Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit, kjo është mënyra për të ecur përpara”, tha O’Brien në Kanal 10.
Në të kundërtën, ai theksoi se nëse do të ketë ngecje sërish në dialog, të dyja vendet do të humbasin, siç i quajti ai, “mundësitë e hatashme” për vendin e tyre.
“Mendoj se sanksioni kryesor është se të dyja vendet e kanë humbur një mundësi të hatashme për vendin e tyre”, tha O’Brien.