Kryetar i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani, i ka dërguar një letër publike dje, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Galuk Konjufca, lidhur me problemet që po përballen tash e 20 vite.
Banorët e Karaqevës së Poshtme në Kamenicë janë të zhgënjyer me moszgjidhjen e problemit të hyrjes së forcave të xhandarmërisë serbe paramilitare.
Në këtë letër, ata shprehen të shqetësuar edhe për mbylljen e 15 shkollave, ku u është ndërprerë mësimi mbi 548 nxënësve.
Kjo është letra që kanë dërguar banorët e Karaçevës:
Po iu drejtohemi Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit.
Letër e hapur nga Bashkësia Lokale e fshatit Karaqevë e poshtme K.Kamenicë .
Ne banorët e brezit kufitar po iu njoftojmë përmes këtij shkrimi si Bashkësi Lokale, se banorët e brezit kufitar jemi të zhgënjyer tej mase me problemet të cilat ballafaqohemi çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me hyrjen e forcave të xhandarmërisë serbe paramilitare etj.
Ky problem është shfaqur tek ne që nga viti 2001 dhe ende vazhdon.
Është i vetmi problem që ballafaqohemi qe 20 vite të plota duke protestuar shumë herë, duke njoftuar të gjitha qeveritë që kanë qenë por askush nuk na mori parasysh.
Por as Kuvendi e as Kryetarët e Parlamentit nuk janë marrë asnjëherë me këtë problem. Vetëm ne banorët kemi qenë të zëshëm për ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial të Republikës së Kosovës në këtë brez kufitar që vazhdimisht jemi të rrezikuar nga shteti okupues-Serbia.
Edhe pse vazhdimisht kemi kërkuar nga institucionet, Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri por nuk janë marrë fare me këtë problem të banorëve.
Presim nga Qeveria e Kurtit që urgjentisht të merret me këtë pjesë të brezit kufitar-Karaçevës.
Problemi numër 2 që i adresohet Qeverisë është mbyllja e 15 shkollave, në mesin e 15 shkollave është edhe shkolla e brezit kufitar në Karaçevë që numëron mbi 100 nxënës.
Tani po i numëroj mbi 15 shkolla që i ka mbyllur dhe ia ka vënë drynin:
1.”Sh.f.”Asllan Thaçi”-Karaçevë e Poshtme.
2.”Sh.f. – Busavatë
3.”Sh.f. – Petroc
4.”Sh.f. – Shipashnicë e Poshtme
5.”Sh.f. – Kopërnicë
6.”Sh.f. – Tugjevc
7.”Sh.f. – Sfircë
8.”Sh.f. – Strezoc
9.”Sh.f. – Krilevë
10.”Sh.f. – Desivojcë
11.”Sh.f. – Lisockë
12.”Sh.f. – Dajkoc
13.”Sh.f. – Poliçkë
14.”Sh.f. – Dazhnicë
15.”Sh.f. – Velegllavë
16.”Sh.f. – Kranidell Etj.
Me këto reforma që ka marrë kreu I Komunës Qëndron Kastrati me mbylljen e shkollave, të marrin dhe t’i shpërndajnë nxënësit në lokalitetet e tjera ku të gjitha shkollat në këtë komunë i plotësojnë të gjitha kriteret për mbarëvajtjen e mësimit ku edhe personeli arsimor i ka plotësuar gjitha kushtet.
Të nderuara Institucione të Kosovës, Kryeministri z.Kurti, Kryeparlamentari z.Konjufca dhe Ministrit të Arsimit dhe gjithë delegatëve të Kuvendit, ngriteni zërin për hapjen e këtyre shkollave dhe t’ia rikthejmë buzëqeshjen tërë Komunës dhe mbi 548 nxënësve që nuk vijojnë mësimin.
Mbyllja e këtyre shkollave është antikombëtare ,antiligjore , ky gjest famëkeq që na ka ndodhur neve.
A ka më keq se sa të privohet e drejta e nxënësit për t’u shkolluar në lokalitetet e tyre?Në këtë pjesë të Kamenicës kërkojmë që nxënësit të mos privohen nga e drejta e shkollimit, dhe ne kërkojmë të drejtat që janë të garantuara shkollat fillore me ligj dhe me kushtetutë.
Kthehuni kah problemet e Karaçevës dhe të mirrni seriozisht këto probleme,që t’i hapni shkollat.
Dhe duam që të kërkoni nga kreu i Kamenices , Qëndron Kastrati që t’a merrni vendimin e prerë dhe të urdhëroni për hapjen e shkollave.
I nderuar Kryeministër Kurti, Qëndron Kastrati është zgjedhur nga partia juaj si kryetar i Komunës sonë.
Ne nuk do lëmë gur pa lëviz deri në realizimin e këtyre kërkesave. Vazhdimisht do ua kërkojmë këto kërkesa.
Ne iu ftojmë që të dilni edhe ju në brezin kufitar-Karaçevë dhe t’i shihni problemet tona.
Shpresa jonë e vetme tek ne jeni ju !Duam që kjo kërkesë të na kthehet pozitivisht.
Me respekt: Bashkësia Lokale-Karaçevë e Poshtme
Kryetar i Bashkësisë Lokale: Selver Lenjani