Rritja e rasteve të vjedhjeve në disa lagje të qytetit të Gjilanit ka shqetësuar ndjeshëm qytetarët, të cilët thonë se ndihen të pasigurt në shtëpitë e tyre dhe të braktisur nga institucionet e rendit.
Sipas banorëve, veçanërisht në lagjen “Dardania”, ditëve të fundit janë shënuar disa raste ku hajdutët kanë hyrë në shtëpi dhe kanë shkaktuar dëme materiale. Disa prej shtëpive janë bërë cak i përsëritur i grupeve të dyshuara për vjedhje, ndërkohë që autorët ende nuk janë vënë para drejtësisë.
“Na kanë hyrë natën në oborr dhe kanë tentuar të thyejnë dritaren. Kjo nuk është hera e parë që ndodh në lagjen tonë. Jemi lodhur duke raportuar, por askush nuk po vepron me seriozitet”, thotë një banor i lagjes, i cili kërkoi të mbetet anonim.
Banorët thonë se kanë informuar Policinë për rastet, mirëpo sipas tyre reagimi ka qenë i ngadalshëm dhe patrullimet janë të rralla, sidomos gjatë orëve të natës kur edhe ndodhin shumica e vjedhjeve.
“Policia vjen, i merr deklaratat, por më pas asgjë nuk ndodh. Nuk shohim ndonjë patrullë gjatë natës, e hajdutët po e shfrytëzojnë këtë,” shprehet një tjetër qytetar.
Përveç Policisë, banorët kanë kritikuar edhe organet e drejtësisë, duke thënë se ndëshkimet për autorët e vjedhjeve janë tejet të buta dhe nuk krijojnë frikë te kryesit e veprave penale.
“Kur kapen, lirohen me shpejtësi nga gjykatat. Kështu nuk mund të ketë as drejtësi, as siguri. Kërkojmë që të merren masa më të ashpra dhe të vendosen dënime që dekurajojnë krimin”, shton një banore tjetër.
Megjithatë, banorët shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe situata të marrë seriozitetin që meriton, përpara se të jetë tepër vonë.