Banorë në lagjen “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan, kanë vendosur afishe për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj pushteti komunal për mos asfaltimin e një rrugice, raporton Koha.net.
Banorët në rrugën “Nikolla Teslla”, akuzojnë pushtetin komunal se është duke i diskriminuar sa u përket investimeve publike.
Kushtrim Daku, njëri prej banorëve që ka vendosur afishet, thotë se komuna nuk ka asfaltuar rrugën, meqë banorët e kësaj lagje i sheh “të një subjekti politik i cili nuk është në pushtet”.
Thotë se akuzat e tyre bazohen ngase pushteti komunal i seleksionon edhe rrugët në bazë të preferencës partiake.
“Kanë asfaltuar edhe rrugë nëpër fshatra, kurse te ne nuk e asfaltojnë. Jemi ankuar shpesh mirëpo askush nuk na dëgjon. Kryekëput mendojmë se nuk po asfaltohet për shkak që ne jemi me Vetëvendosjen. Sepse komuna ka asfaltuar të gjithë rrugët ku banojnë zyrtarët e tyre ose njerëzit e afërm të tyre. Vështirë të qarkullojmë në këtë pjesë, sidomos kur transportojmë ndonjë të sëmurë bëhet edhe më vështirë. Jemi tatimpagues të rregullt dhe kërkojmë një të drejtë në investime ashtu qysh kanë përfituar edhe të tjerët. Po ndjehemi totalisht të përjashtuar dhe për këtë kemi vendosur për këtë formë” ka thënë ai.
E drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Gjilanit, Naser Korça, mohoi çfarëdo pretendimi të banorëve.
Ai thotë se banorët nuk diskriminohen në asnjë formë nga komuna.
”Është e turpshme atë çfarë kanë thënë ata. Në asnjë mënyrë komuna nuk i diskriminon banorët në baza partiake sa u përket investimeve. Komuna i realizon projektet në bazë të prioriteteve. Sigurisht se do të dalim dhe do të shikojmë se për çfarë bëhet fjalë. Por një gjë është e sigurtë se komuna nuk diskriminon banorët”, ka thënë ai për Koha.net.