Banorët e rrugës “Fatos Limani” në Gjilan kanë tri vite që përballen me vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes së rrugës së tyre, e cila mbetet e paasfaltuar dhe e shkatërruar, duke shkaktuar pengesa të shumta në përditshmërinë e tyre.
Para tre vitesh, kompania “Hidromorava” hapi kanale përgjatë rrugës për të vendosur gypat e ujit, por rruga kurrë nuk u rikthye në gjendjen e mëparshme. Përkundrazi, ajo është lënë e dëmtuar, duke e bërë jetesën e banorëve të padurueshme dhe të rrezikshme.
Kjo rrugë me gjatësi rreth 400 metra është mjaft e frekuentuar nga automjetet dhe banorët, të cilët përfshijnë rreth 40 shtëpi. Sidomos nxënësit janë të rrezikuar, pasi nuk ka trotuar, dhe rruga ka gropa nga të dy anët.
Banorët e lagjes janë të zhgënjyer me qeverisjen komunale, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parë nga afër këtë situatë. Esat Kryeziu, njëri nga banorët e lagjes, i zhgënjyer thekson: “Edhe ne jemi qytetarë të Gjilanit dhe Kosovës. Kjo është maltretim – gjatë verës na mbyt pluhuri, ndërsa në dimër uji dhe balta bëhen të padurueshme. Nxënësit janë të rrezikuar, rruga është e frekuentuar në të dy drejtimet dhe nuk ka as trotuar. Kjo është gjendje e mjerueshme. I lutemi qeverisë komunale të ndërhyjë sa nuk është bërë vonë, pasi çdo ditë ekziston rreziku i ndonjë aksidenti me pasoja fatale. Nuk kërkojmë lëmoshë, por të na rregullohet rruga. Kjo gjendje i ka kaluar të gjitha limitet.”
Banorët e rrugës “Fatos Limani” shprehen të shqetësuar, duke theksuar se edhe në fshatrat më të thella malore gjendja nuk është kaq e keqe sa në lagjen e tyre, ku ndodhen brenda qytetit të Gjilanit.