Mjekja e Zonës Operative të Karadakut, Teuta Hadri dhe ekipi saj, do të ziheshin të gjallë nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, po të mos ishte heroizmi i dëshmorit Enver Miftari-Bardhi, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Me rafalët e pushkës automatike, flakë për flakë me forcat serbe, Enver Miftari – Bardhi u krijoi mundësi atyre që të dilnin nga rrethimi dhe të shpëtonin nga vrasja e sigurt.
Në atë mëngjes të hershëm të 8 qershorit 1999, forcat serbe ia kishin mësyrë vendit ku ishin të vendosura njësitë e UÇK-së.
Enveri, pasi i vëren forcat serbe që po afroheshin, hap zjarr në drejtim të tyre, duke u shkaktuar humbje dhe njëkohësisht alarmon bashkëluftëtarët për rrezikun.
Me mençurinë e një luftëtari të shkathtë, arrin të krijojë një korridor për tërheqjen e mjekes Hadri.
Në luftim e sipër Enveri plagoset në këmbë dhe pasi i jep vetes ndihmën e parë, vazhdon betejën kundër forcave serbe duke shkrepur rafalët një pas një dhe nga një kënd tjetër, ku pas një lufte të madhe, nga një distancë, Enveri goditet edhe njëherë nga snajperët serbë, me ç’rast edhe bie heroikisht në altarin e lirisë.
Qëndresa e Enverit – Bardhit për të rezistuar ballë për ballë me forcat armike, i pengoi ato që t’u afrohen pozicioneve të UÇK-së.
Sulmet e armikut ishin të ashpra në drejtim të pozicionit dhe pikës që mbronte Bardhi.
Po kush ishte Enver Miftari – Bardhi, tani dëshmor, i rënë para 23 vitesh?
Enver Miftari lindi më 14. 5. 1974 në Verbicë të Zhegocit, ku e kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Prishtinë.
Me fillimin e luftës në Kosovë, Enveri u inkuadrua në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut me nofkën “Bardhi”.
Me të dëgjuar se në fshatin Zllash të Marecit kishin filluar stërvitjet për ata që donin t’i bashkoheshin luftës kundër forcave okupatore serbe, ai në janar të vitit 1998 shkoi atje dhe qysh nga ajo ditë iu bashkua radhëve të UÇK-së.
Pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake në Zllash, ai u vendos në fshatin e tij në Vërbicë.
Më 15 prill të vitit 1999, ishte pjesëmarrës i betejës së Zhegocit, ndërkohë më 17 prill 1999 ishte pjesëmarrës në betejën e Marecit.
Pas këtyre betejave, Enverit i shtohet morali dhe nga komanda emërohet në detyrë speciale në vijën Marec, Verbicë, Zhegoc, Kishnapole.
Enveri ishte njeri që karakterizohej nga një heshtje burrërore. Ishte i ri, por lufta dhe morali i luftës e kishin pjekur para kohe.
Enveri ka qenë fëmija më i madh nga 11 fëmijët e Shefki e Hanumshahe Miftarit. /Mediafokus.info