Numri i pamjaftueshëm i barnave të regjistruara dhe mungesa e unifikimit të çmimeve, shihet si një prej arsyeve që ndikon në shtimin e rasteve të kontrabandës me barna në Kosovë.
Zyrtarë në Doganën e Kosovës thonë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre mund të jetë e vogël, por vlera shumë e madhe, çka edhe i shtyn kontrabandistët të përfitojnë nga këso veprime ilegale.
Florina Berisha, kryetare e Shoqatës së Farmacistëve, i tha Radios Evropa e Lirë se Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) duhet të lehtësojë procedurat e regjistrimit të barnave, në mënyrë që të eliminohet fenomeni i kontrabandimit, marr parasysh edhe rëndësinë që kanë barnat për shëndetin e njerëzve.
“Ne si shoqatë farmaceutike e dënojmë kontrabandimin pasi vijnë nga rrugë të ndryshme. Në bazë të informatave që kemi, ka rënie të kontrabandës, por gjithmonë ka hyrje ilegale të tyre. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet relevante, që të ndalet kontrabanda”.
“I bëjmë thirrje AKPM-së që t’i lehtësojë procedurat e importit në mënyrë, që të mos ketë mungesë të barnave në treg dhe rrjedhimisht kontrabandë. Pjesa më e madhe e barnave vjen nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Kryesisht kontrabandë me barna ka për ato produkte të cilat mungojnë në treg, por edhe produkte që kanë ndryshim çmimi në shtetet e rajonit”, tha ajo.
Sipas Berishës, aktualisht në Kosovë po punohet që të ketë unifikim të çmimeve për këto produkte.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, tha se kohët e fundit janë kapur barna të kontrabanduara. Nga janari i këtij viti janë konfiskuar barna të kontrabanduara me vlerë prej rreth 50 mijë euro.
“Kohëve të fundit kemi pasur disa raste të kontrabandimit të barnave, të cilat i kemi kapur. Po ashtu i kemi forcuar edhe kontrollet e importit të barnave. Megjithatë, ende kemi tentim për kontrabandë të barnave. Arsyet pse barnat kontrabandohen, janë se ato që hyjnë si të kontrabanduara nuk kanë licencë nga AKPM-ja. Barnat janë të liruara nga tatimet apo kanë tatim tejet të vogël”, tha Stavileci.
Por, Ardian Rugova, drejtor i autorizimit për marketing në departamentit për regjistrimin e barnave në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, bëri të ditur se regjistrimi i barnave në AKPM është thjeshtësuar shumë. Ai shpjegon se janë bërë edhe udhëzime administrative që mundësojnë edhe regjistrimin e ndonjë ilaçi, në rast nevoje, dhe siç thotë ai, nuk ka arsye që barnat të kontrabandohen për shkak të sigurisë së transportit dhe ndjeshmërisë që kanë këto produkte.
“Ne nuk kemi të dhëna se sa ka kontrabandë me barna. Megjithatë ne në AKPM nga ana legjislative, kemi tri udhëzime administrative që mundësojnë regjistrimin e lehtë të barnave, të cilat janë në tregun e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Janë dy udhëzime që në mënyrë të menjëhershme i njohin barnat që janë të regjistruara në Gjermani dhe Angli, do të thotë nuk ka nevojë që të sjellin dosje të barnave. Ne si institucion vetëm e bëjmë verifikimin se a është ilaçi nga ai shtet i regjistruar dhe ata e marrin të drejtën për qarkullim në tregun e Kosovës”, tha Rugova.
Vetëm dhjetë inspektorë për 1200 subjekte farmaceutike në gjithë Kosovën
Inspektorët farmaceutikë janë ata që herë pas herë dalin në terren për të inspektuar nëse barnat janë në nivelin e duhur.
Shaban Osmanaj, inspektor farmaceutik, thotë se janë gjithsej dhjetë inspektorë për 650 barnatore private të licencuara, mbi 150 depo farmaceutike për produkte dhe pajisje medicinale, dhe tre prodhues në Kosovë. Duke mos llogaritur shërbimet farmaceutike që janë në kuadër të 37 klinikave brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, repartet farmaceutike brenda 7 spitaleve regjionale dhe 38 Qendra të Mjekësisë Familjare në Kosovë.
“Maksimumi që kemi mund të japim ka qenë 600 inspektime në vit. Kemi hasur në barnatore të licencuara që të gjejmë barna të kontrabanduara. Por, gjithashtu hasim edhe në barnatore të palicencuara, e që operojnë në vend. Në këtë rast rreziku për qytetarët është i lartë, pasi barnat e kontrabanduara nuk i plotësojnë standardet, nuk dihet se si vijnë deri te shitja. Edhe qytetarët na ndihmojnë shumë pasi kur hasin në barna pa banderola e lajmërojnë rastin”, tha Osmanaj.
Ndryshe, një problem prej vitesh që po e përcjell sektorin farmaceutik është edhe ajo se barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.
Megjithatë, tashmë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka mbajtur një debat publik, ku ka thënë se Udhëzimi Administrativ që rregullon çmimet e barnave, është në prag të unifikimit të çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore në sektorin farmaceutik.
Ai parasheh uljen e çmimeve, rrit konkurrencën, zvogëlon shpenzimet si dhe përcakton çmimin fiks për produktet medicinale, të cilat do të jenë pjesë e listës së produkteve esenciale jashtë spitalore. /Rel