Me rastin e 1 shtatorit dhe fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka uruar të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndësishëm për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.
Në mesazhin e tij, Basha tha se 1 shtatori është një ditë e veçantë, pasi shënon hapjen e dyerve të shkollave për brezat e rinj, të gatshëm për të mësuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të Kosovës.
“Shkolla nuk është vetëm vendi i dijes, por edhe hapësira ku mësohen vlerat, ku forcohet karakteri, ku kultivohet dashuria për atdheun dhe ku formohen qytetarët e përgjegjshëm të së ardhmes,” theksoi ai në urim.
Kryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohje të thellë për mësuesit dhe edukatorët, duke vlerësuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
“Me përkushtim e dashuri, ata udhëheqin fëmijët tanë drejt diturisë dhe ndriçojnë rrugën e tyre me shembullin që japin çdo ditë,” thuhet ndër të tjera në mesazh.
Në fund, ai uroi një vit të suksesshëm për të gjithë.
“Urime të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesve për një vit shkollor të mbushur me suksese, frymëzim dhe arritje të reja!”, u shpreh Basha.