Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albert Selishta, së bashku me veprimtarin e njohur në Turqi, Recep Gündüz – Krivaqa, kanë vizituar stafin drejtues të Spitalit Rajonal të Gjilanit, me qëllim të koordinimit të bashkëpunimit ndërmjet mjekëve gjilanas dhe atyre në Turqi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Selishta, i cili prej më shumë se 15 vitesh ka qenë i angazhuar në asistimin dhe realizimin e projekteve nga Turqia drejt Kosovës, gjatë qëndrimit të tij në këtë shtet mik dhe vëllazëror.
Sipas tij, qëllimi i takimit ishte krijimi i një ure bashkëpunimi ndërmjet këtij institucioni rajonal shëndetësor dhe institucioneve homologe në Turqi, me theks të veçantë në organizimin e trajnimeve profesionale për mjekët në qytetin e Bursës.
Selishta ka bërë të ditur se është pritur nga drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Dr. Afrim Canaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, me të cilët janë diskutuar mundësitë konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen.
Ai po ashtu ka theksuar se këtë mision dhe këtë angazhim do ta vazhdojë tashmë nga vendlindja, pas përfundimit të shkollimit dhe përvojës profesionale në Turqi, duke shprehur gatishmëri të plotë për të kontribuuar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

