Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se spektri politik në Kosovë duhet të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë.
“Kemi parë një tension të madh publik kohëve të fundit, por gjithashtu kemi parë edhe një angazhim të Qeverisë lidhur me këtë çështje. Jam optimiste se skena politike do të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë”, tha ministrja Hoxha.
Sipas saj, pas përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës, do të nevojiten më pas edhe tre deri në gjashtë muaj, që Bashkimi Evropian ta vë në fuqi një vendim eventual për lëvizjen e lirë pa viza, për qytetarët e Kosovës.
Ajo ka shtuar se Kosova duhet të shfrytëzojë rastin dhe të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit sa më shpejt. Në të kundërtën, ajo tha se Bashkimi Evropian do të humbë fokusin nga procesi i liberalizimit të vizave ndaj Kosovës.
“Unë mendoj se ne duhet të arrijmë këtë konsensus, Qeveria dhe të gjithë, sa më shpejtë që të është e mundur sepse pastaj ne e dimë që në mbledhjen fundit në nëntor që mbahet në Këshillin e BE-së, në agjendë do të jetë BREX-it (largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja), kurse në vitin 2019 fillojnë zgjedhjet parlamentare (në BE) dhe do të kemi një situatë ku mund të humbet fokusi për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pra, duhet të shfrytëzojmë rastin që të ecim përpara”, tha ministrja Hoxha.
Ndërkohë sa i përket raportit të Komisioni Evropian për Kosovën që pritet të publikohet së shpejti, ministrja Hoxha tha se pret një raport të balancuar.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, më 7 shkurt do të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Nisur nga kjo ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur, që deri në atë kohë t’i kryejë obligimet e veta. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, do t’i kushtonte Kosovës me “një çmim shumë të lartë”.