Është koha që çështja e Luginës së Preshevës, të gjejë zgjidhje përfundimtare dhe se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës duhet të përfshijë bashkimin e komunave të Luginës së Preshevës me Kosovë, pasi që një mosdefinim i statusit të këtyre komunave do të mbante gjendjen politike të tensionuar në rajon.
Kështu shprehet Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, sipas të cilit bashkimi i Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës me Kosovë do të ishte një përmbyllje e problemeve politike në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.
Ndër lidhur me deklaratat e politikanëve të ndryshëm, për mos ndryshim të kufijve, duke përfshirë këtu deklaratat e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, por edhe të disa zyrtarëve të LDK-së, për Kadriun janë deklarata të papërgjegjshme dhe jo në shërbim të vendit e kombit.
“Si është e mundur që një shqiptar me mend në kokë të thotë se kufijtë janë mirë në Ballkan?!”, thotë Kadriu, për të shtuar se ka një pyetje për z. Haradinaj, se si janë mirë kufijtë kur nën Serbi i kemi tri komuna shqiptare, në Maqedoni i kemi një milion shqiptarë “të pushtuar”, e gjithashtu edhe në Mal të Zi e në Greqi.
“Kufijtë duhet ndryshuar se janë bërë keq, e sa për deklaratat e z. Haradinaj, ato janë vetëm sa për t’i hyrë në hatër faktorit ndërkombëtar, se është në vi me ta dhe se është ndonjë faktor stabiliteti”, thotë tutje Kadriu.
Ai thekson se Haradinaj e ka gabim dhe se koha e hyrjes në hatër të ndërkombëtarëve ka kaluar. “Ju merruni me kufirin kah Qakorri e lej kufirin e Lindjen, se e dimë fort mirë se ku është, kur është vënë dhe si është vënë. Mundësisht, merru me ndonjë punë qeverie që do t’ua shihnim hairin”, është porosia, e Kadriu të “Vatrës” në adresë të kryeminsitrit Haradinaj.