Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për tensionet që janë krijuar ditëve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka thënë se i konsideron këto tensione si rezultat të veprimeve nga të dyja anët.
“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.
“(Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit), EULEX, tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”.
Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ditëve të fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz.
Në orët e vona të 8 dhjetorit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veri.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.
Përfaqësuesit e saj kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.
Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut. /REL