Bashkimi Evropian ka theksuar se pret nga autoritetet serbe të arrestojnë dhe ndjekin penalisht autorët e sulmit terrorist në Banjskë, ndërsa ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e disave prej tyre në protesta në Serbi.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë për televizionin e pavarur serb N1, se si nga ky sulm i rëndë, një polic i Kosovës mbeti i vrarë.
“Dy vjet më parë, sulmi në Banjskë më 24 shtator 2023 nga sulmues të armatosur serb të Kosovës kundër policisë së Kosovës kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. Sulmi i shëmtuar atë ditë la një oficer policie të vdekur dhe dy të plagosur… Ne presim që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht ata që gjenden në Serbi, me akuza të përshtatshme, para një gjykate në Serbi”, tha zëdhënësi i BE-së.
BE-ja u shpreh gjithashtu e shqetësuar për “raportimet mbi pjesëmarrjen e personave të dyshuar si autorë të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave” në Serbi.
Sipas N1, në mesin e tyre është identifikuar Vlladimir Vuçetiq nga Mitrovica e Veriut, njëri nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili u pa në një kamp protestues pro-regjimit në qendër të Beogradit.
Në listë mbetet edhe Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe i konsideruar përgjegjës për sulmin në Banjskë, i cili, siç raporton N1, së fundmi ka bërë kërcënime ndaj qytetarëve në Kosjeriq.
Zëdhënësi i BE-së kujtoi se në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë kishte përcjellë një kërkesë të autoriteteve kosovare për asistencë juridike në drejtim të Serbisë, por “deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të asistencës juridike të ndërsjellë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e ka ngritur personalisht këtë çështje me presidentin Vuçiq dhe do ta rikthejë në agjendë edhe në takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork”, tha BE-ja.
Sot shënohet dyvjetori i agresionit në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, nga një grup serbësh të uniformuar, ndërsa tre sulmues serbë u vranë pas përplasjes me forcat e rendit.