Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhleyi, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të ecë para me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka theksuar se janë të gatshëm të formojnë një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për këtë në një mënyrë të ngjashme si në rastin e Shqipërisë: jemi gati të krijojmë një udhërrëfyes së bashku me shtetet tona anëtare për të adresuar shqetësimet specifike”.
“Autoritetet e shteteve anëtare (agjencitë e zbatimit të ligjit, forcat policore) duhet të përfshihen në terren për të ndihmuar Kosovën. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim të gjithë mbështetjen e nevojshme financiare, teknike dhe politike këtij procesi. Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, ne kemi nevojë që Kosova të na japë zotime dhe realizime të qarta”, ka thënë Varhleyi në një takim të Komisionit Evropian për Ukrainën.