Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahet takimi në nivel të ekspertëve në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi, dhe se pritet të ketë takim edhe në nivel të udhëheqësve.
“Përfaqësuesi Special i BE, Mirosllav Lajçak, njoftoi të hënën e kaluar se diskutimet në nivelin e ekspertëve do të vazhdojnë këtë javë dhe se një takim i ri në nivelin e udhëheqësve do të zhvillohet më vonë këtë muaj”.
Ai për klankosova.tv tregoi se edhe cilat tema do të diskutohen.
” Temat nën diskutim janë marrëveshjet për komunitetet jo shumicë dhe zgjidhja e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pasurisë”.
Pos kësaj Stano deklaroi se “Ky është vazhdimi i bisedimeve të cilat do të vazhdojnë derisa të dy palët të bien dakord mbi një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.
Takimi i fundit në nivelin e liderëve ishe mbajtur më 7 shtator në mes të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së. Rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit ndodhi më 16 korrik të këtij viti pas një periudhe të gjatë.
Pas takimit të 7 shtatorit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte thënë se në dialogun e zhvilluar mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.
Para takimit të Bruskelit, pati takim edhe në Washington më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja ekonomike në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën udhëheqjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.