Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë mohuar se janë duke i shtyrë përpara kërkesat e Serbisë në diskutimet që po vazhdojnë rreth sekuencimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Duke iu përgjigjur kritikave të qeveritarëve të Kosovës, ata kanë thënë se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, e cila në fund do të jetë në përgjegjësinë e palëve
Bashkimi Evropian u është përgjigjur kritikave të Qeverisë së Kosovës për njëanshmëri në procesin e dialogut.
Pas takimit të fundit në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e kritikoi ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, se po i mban anë Serbisë në kërkesat që ajo ka paraqitur për sekuencimin e Planit për zbatimin e marrëveshjes.
Por nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, në BE mohuan se e mbajnë anën e Serbisë teksa insistuan se synim i tyre është që t’u ndihmojnë të dyja palëve në zbatimin e marrëveshjes.
“BE-ja nuk është e njëanshme. BE-ja është ndërmjetëse e ndershme që ka investuar në mënyrë të paanshme t’u ndihmojë palëve në dialog – Kosovës e Serbisë – që të arrijnë zgjidhje kompromisi, e cila gjithashtu kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit. Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e BE-së, raporton Koha.
Pas takimit të 19 korrikut me ndërmjetësin e Lajçakut, zëvendëskryeministri Bislimi tha se draftet e deritanishme që emisari evropian ua dërgoi palëve, në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave e preferencave të Serbisë, si dhe se nuk e garantojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes.
Por në zyrën e Lajçakut thanë se synimi është arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Përmes dialogut, BE-ja synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar çështjet e pazgjidhura, në mënyrë që të dyja palët të përparojnë në rrugën e tyre përkatëse evropiane, të krijojnë mundësi të reja dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre. U takon të dy palëve që ta arrijnë këtë marrëveshje, BE-ja vepron vetëm si lehtësuese dhe përgjegjësia për t’u pajtuar mbi zgjidhjet evropiane në fund bie tek palët. Megjithëkëtë, BE-ja është e vendosur që ta vazhdojë angazhimin e saj të qëndrueshëm përkrah palëve në dialog”.
Duke iu referuar dinamikës së negociatave dhe zhvillimeve në veri, eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, vlerësoi se BE-ja por edhe SHBA-ja po dështojnë në raport me palët.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Në njërën anë, Presidenti Vuçiq ka bërë të qartë se nuk ka detyrime nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe në mars. Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa vendosur rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Vuçiqit, ndërkaq presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, ka thënë Serwer.
Në mungesë të dakordimit, BE-ja muajve të fundit është marrë me shtensionimin e situatës në veri, pasi që vendosja e kryetarëve të rinj në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok nxiti protesta të dhunshme nga serbët lokalë.