Bashkimi Evropian gjatë këtij muaji ka dhënë 29 kontrata me vlerë prej 10.8 milionë eurosh në mbështetje të sektorit privat të Kosovës dhe për përmirësimin e qasjes në tregun e punës, për rritjen e perspektivave të punësimit për të rinjtë, gratë dhe grupet e pafavorizuara në Kosovë.
Projektet e siguruara mbështesin edhe edukimin gjatë fëmijërisë së hershme përmes ndërtimit të gjashtë kopshteve të reja.
“Fusha të tjera të mbështetjes përfshijnë infrastrukturën rrugore dhe mbështetjen e binjakëzimit për zbatimin e direktivës së BE-së për shërbimet duke iu ndihmuar bizneseve dhe konsumatorëve të Kosovës. Kjo asistencë e BE-së është pjesë e zarfit të Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) 2016, shuma totale e të cilit është 71 milionë euro”, thuhet në njoftimin për media.
Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog shprehu kënaqësinë për mundësinë e dhënies së kontratave.
“Në javët e fundit, BE-ja ka nënshkruar një numër kontratash dhe kështu e ka përfunduar kontraktimin e Programit Vjetor IPA të vitit 2016. Nga këto projekte përfitojnë drejtpërdrejt 13 biznese, ato mbështesin dhe krijojnë 281 vende pune, duke përfshirë grupet e pafavorizuara, dhe ofrojnë pajisje të nivelit më të lartë për kopshte për rreth 700 fëmijë nëpër Kosovë: në Prishtinë, Mazgit, Gjilan, Gllogoc, Skënderaj dhe Vitomiricë”, tha Szunyog.
Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) është instrumenti kryesor financiar që siguron mbështetjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Mbështetja shërben për miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike të kërkuara për të qenë në pajtueshmëri me vlerat e Bashkimit Evropian dhe për përputhshmëri progresive me rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim anëtarësimin në BE. Asistenca kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e përfituesve.