“Është Serbia ajo që e ka refuzuar planin franko-gjerman”, tha këtë të hëne Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për shtyp në adresimin e tij për situatën e krijuar me largimin e serbëve nga institucionet në pjesën veriore të vendit.
Megjithatë, ndonëse Bashkimi Evropian në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, as nuk e mohon e as pohon se Serbia ka refuzuar ose jo propozimin franko-gjerman, thotë se “nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë”.
Pyetur nga gazeta online Reporteri.net se “a është fakt se Serbia, siç thotë Kryeministri Kurti, e ka refuzuar planin franko-gjerman”, një zëdhënëse e BE-së i tha Reporteri-t se “Ne nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë prandaj për pozicionin e Serbisë do të ishte e duhur të kërkojmë përgjigje nga autoritetet serbe”.
“Ne nuk flasim në emër të tyre”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Në anën tjetër, zëdhënësja i refereohet deklaratës së shefit të diplomacisë evropiane Josep Borell që “menjëherë” të shtyhet çështja e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e targave ilegale “KM” si dhe masat ndëshkuese.
“Autoritetet e Kosovës të respektojnë obligimet e tyre pa u vonuar. Kjo do të thotë që të zgjatet menjëherë procesi i riregjistrimit të veturave dhe pezullimi i masave ndëshkuese ndaj vozitësve me targa KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët përmes dialogut”