Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.
Në një përgjigje për Klankosova.tv nga Bashkimi Evropian thanë se tashmë është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.
“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.
“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.
Tutje, ky zëdhënës tha se masat e marra ndaj Kosovës janë të përkohshme në varësi të zhvillimeve në veri, teksa paralajmëroi se BE-ja po e monitoron edhe përmbushjen e kërkesave nga Serbia.
“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”.
“BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”, thuhet në përgjigje, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ky zëdhënës tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të përballojë tensione e dhunë”, teksa sërish bëri thirrje për shtensionim të situatës duke i ndjekur tre hapat e propozuara nga BE-ja.