BE-ja ka intensifikuar ndihmat e saj për Ukrainën ndaj agresorit rus, duke vendosur të dërgojë armë dhe ndihma tjera, për herë të parë në histori të Bashkimit Evropian, sa i përket vendeve të treta.
“Ne jemi duke rritur mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
“Për herë të parë, BE do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve në një vend të sulmuar”, shtoi tutje ajo.
“Ne gjithashtu po forcojmë sanksionet tona kundër Kremlinit. Së pari, ne po mbyllim hapësirën ajrore të BE-së për avionët në pronësi ruse, të regjistruara ruse ose të kontrolluara nga Rusia. Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Përfshirë avionët privatë të oligarkëve”.
“Së dyti, ne do të ndalojmë makinën mediatike të Kremlinit në BE. Kompanitë shtetërore Russia Today dhe Sputnik dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit. Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”, thuhet tutje në njoftimin e masave.
“Së treti, ne do të synojmë agresorin tjetër në këtë luftë, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm. Të gjitha këto masa vijnë në krye të paketës së fortë të paraqitur dje, të rënë dakord nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Tutje, der Leyen duartrokiti veprimet e presidentit ukrainas, Volodymir Zelensky.
“Udhëheqja e tij, guximi i tij dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas janë një frymëzim për të gjithë ne”, shkroi ajo, duke shtuar se do i mirëpresin refugjatët ukrainas.
“Ne i mirëpresim krahëhapur ata që duhet të ikin nga bombat e Putinit”.
“Ne mbështesim shtetet tona anëtare lindore në pritjen dhe kujdesin për këta refugjatë”.