Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.
Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.
“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.
“Kjo është paketa më e madhe me sanksione në historinë e Bashkimit Evropian. Vendimi i sotëm shkëput bankat kyçe ruse nga rrjeti SWIFT dhe dërgon një tjetër sinjal të qartë për Putinin dhe Kremlinin”.
Në listë nuk janë përmendur bankat e mëdha ruse, Sberbank dhe Gazprombank, të cilat kanë qasje në SWIFT për t’ua mundësuar shteteve të BE-së të kryejnë pagesa për naftën dhe gazin rus.
Mirëpo një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se lista do të jetë “vazhdimisht nën shqyrtim”.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.