Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë kanë thënë se nuk ekziston asnjë afat dhe kohë e dakorduar në lidhje me vendimin për heqjen e vizave për Kosovën në këtë fazë. Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar dje se lajmi i mirë për liberalizim do të merret para këtij fundviti, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Pavarësisht faktit që krerët institucionalë të Kosovës tash e tetë vjet po vazhdojnë të përmendin data të ndryshme për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian (BE), një gjë e tillë ende nuk dihet se kur do të ndodhë.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë i kanë thënë gazetës se nuk ekziston asnjë afat se kur do të mundë të merret vendimi final për heqjen e vizave.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj edhe gjatë ditës së hënë (dje) ka ritheksuar se lajmi i mirë për liberalizim do të merret para këtij fundviti.