Liste Serbe ka dalë me një komunikatë rreth aksionit të Policisë në veri të vendit, ku është gjetur një laborator i drogës si dhe ka pasur të shtëna ndaj efektivëve policorë. LS thotë se aksione të tilla mbrojnë rininë e vendit nga dukuritë negative, sic janë narkotikët dhe ka shtuar se policët e Regjionit Veri kanë treguar aftësi dhe kapacitete për të luftuar krimin. Lista Serbe nuk e përmend askund Policinë e Kosovës, por vetëm i referohet sikur “Rajoni-Veri”.
“Lista Serbe e mirëpret aksionin policor nga Rajoni-Veri që u krye sot me qëllim të frenimit të krimit në fushën e narkotikëve, i cili në radhë të parë mbron rininë tonë dhe fëmijët tanë nga kjo plagë që shkatërron çdo shoqëri. Ky veprim ka treguar se punonjësit e policisë së Qarkut-Veri kanë aftësi dhe kapacitet për të luftuar krimin”, shkruan në komunikatë.
Tutje thuhet se në emër të LS-së dhe popullit serb dënohen aktet kriminale. Po ashtu, LS thotë se sa herë ka aksione të tilla dhe veprime profesionale nga policia, gjithmonë do të jenë në mbështetje të ligjit.
“Shfrytëzojmë rastin të theksojmë se në emër të Listës Serbe dhe popullit tonë dënojmë këtë lloj akti kriminal të individëve. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë policisë së Rajonit-Veri që të vazhdojë me veprime të tilla dhe të mos lejojë individë që të kriminalizojnë gjithë veriun me aktivitetet e tyre kriminale ku jetojnë njerëz dhe familje të ndershme. Duam të bëjmë një mesazh të qartë se sa herë që policia kryen veprime profesionale si kjo, gjithmonë do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë”, përfundon komunikata.