Republika e Kenias raportohet se ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, sipas një njoftimi të bërë nga ish-presidenti i vendit, Behgjet Pacolli.
Pacolli përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se pas pesë viteve që kur na njohu Izraeli, Kosova ka marrë njohje të re nga Kenia.
Ai ka bërë me dije se kjo njohje vjen si “fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!
Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!
Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet” – ka shkruar Pacolli.