Plasja e luftës në Ukrainë, ka bërë që çmimi i naftës dhe derivateve të saj të ngrihet automatikisht për katër centë për litër edhe në Kosovë.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se trendi është rritës dhe se në ditët në vijim mund të ndodhë që çmimi të shkojë deri në 1.60 cent për litër.
“Në berzën ndërkombëtare ka pasë menjëherë rritje në 60 dollarë për ton, që do të thotë se ka ndikuar lufta Rusi-Ukrainë”, është shprehur Berjani.
“Nuk mund të themi se kaq do të arrijë cemi, 1.60 apo më tepër, por çmimet janë duke u rritur në mënyrë ekstreme. Nuk jemi larg [1.60] dhe nëse rritja do të vazhdojë më nga katër cent, për pesë ditë mund të arrihet aty”.
Berjani ka thënë se ka shpresë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i lëshojnë në treg rezervat e tyre të naftës.
“Kur pati nisur lufta në Irak, ish presidenti George Bush i pati vendosur rezervat në treg dhe shpresoj se njëjtë do të veprojë edhe Joe Biden. SHBA është shtet i madh”.
Ai më tej ka thënë se pavarësisht situatës, në Kosovë nuk do të ketë krizë për furnizim.
“Edhe nëse dy muaj nuk importojmë fare nuk do të kishte mungesë të naftës tek ne”./klankosova