Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në një intervistë për RTS, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur gjatë qëndrimit në Bruksel. Bernabiq ka thënë se ka ngritur temën e vendimit të Republikës së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë.
“Ne kemi folur më së shumti rreth asaj se si të drejtat elementare janë mohuar për serbët në Kosovë, e që më së miri u pa më 16 janar, kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në referendum dhe votimi, gjë që është një precedent i tmerrshëm”, ka thënë Brnabiq, shkruan Blic.rs, transmeton Express.
Kryeministrja serbe tutje ka thënë se kur bëhet fjalë për zgjedhjet e prillit, ka marrë zotimin e BE-së se do të angazhohen sa të munden, që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi me referendumin.
Ajo tutje ka thënë se serbët e Kosovës duhet të lejohen që të votojnë në zgjedhjet e Serbisë, derisa përmend faktin se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.
“Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet. Nuk duhet lejuar që serbëve t’iu mohohen të drejtat bazike për pjesëmarrje në zgjedhjet që Serbia do t’i mbajë”, ka thënë Bërnabiq.
Derisa thotë se vendimi i Kurtit për të mos lejuar votimin e serbëve në referendum ka qenë një “hipokrizi”, meqë Kurti ka marrë pjesë dhe ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.
Bërnabiq ka folur edhe për vazhdimin e dialogut, duke thënë se BE-ja duhet ta bind Kosovën që të ulet në tavolinë dhe të jetë e gatshme për kompromis.