Komediani Besim Dina ka mohuar se ka qenë pjesë e luftës çlirimtare.
Ai e ka thënë këtë pas raportimeve se emri i tij figuron në Listën e Veteranëve të Rrejshëm.
Duke folur për vështirësitë dhe hallet me të cilat çdo ditë përballen qytetarët kosovarë, Dina është shprehur kritik ndaj elitës politike.
Populli duhet të mendojë për Kosovën, jo për vete, sepse këta politikanët e kanë bërë një trik të mirë – kanë punësuar njerëz, kanë blerë vota. Këta janë prej këtij populli dhe nuk mund ta kenë inteligjencën më të madhe”, ka thënë ai.
“Intelektualëve ua kanë mbyllur derën. Intelektuali i vërtetë është ai që i del zot popullit dhe jo dikush që ka kryer fakultet në Gjermani, Austri a ndokund tjetër dhe vjen e i bashkohet kësaj klase politike”.
“Jam pesimist, por pesimistët janë optimistët më të mëdhenj. Këtyre iu konvenojnë njerëz që stagnojnë. Hapni sytë popull për Kosovën që e kemi ëndërruar”
Dina ka thënë se edhe universitetet në Kosovë “prodhojnë hajgaregji” dhe në ta “blihen doktoratura”.
Ai në Info Magazine të Klan Kosovës, herë me ironi e herë me të vërtetë, ka thënë se gjendja është e rëndë nëpër sektorë të ndryshëm ku ka shtuar se fajet më së shumti i kanë qytetarët, duke aluduar se nëpër zgjedhje dalin dhe votojnë politikanët e njëjtë.
Në fund, Dina ka thënë se kurrë nuk do të bëhet pjesë e ndonjë partie politike.