Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dhënë deklaratë për rastin e hetimeve që lidhen me kontratën për mbetjet shtatore të ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.
Bislimi ka qenë i ftuar për të hënën që vjen, por ai për shkak të angazhimeve, ka kërkuar që intervista të zhvillohet më 18 qershor në orën 09:30 në Prokurorinë Speciale.
Më 27 maj, ministri në detyrë i Bujqësisë, Peci, për më shumë se tri orë ishte intervistuar në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria për rastin e fabrikës së mbetjeve shtazore. Intervistimi i tij ishte realizuar pas bastisjeve në katër lokacione.
Përveç ministrisë dhe AUV-it, ishin kryer kontrolle edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës.
Ndërkaq, Peci e kishte pranuar se Besnik Bislimi ishte interesuar rreth fabrikës. Ai ka pranuar se dy herë e kishte ftuar në zyrë për këtë temë.
“Unë jam kthy në ministri e kam transmetu shqetësimin e zëvendëskryeministrit për nevojën për funksionalizimin e kësaj fabrike”, kishte thenë Peci.
Vëllai i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi po punonte në kompaninë e babait të aksionarit të konzorciumit i cili e fitoi kontratën për fabrikën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.