Sportisti i talentuar kosovar, Betim Maliqi, ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Karatesë – Cairo 2025, që do të zhvillohet në kryeqytetin egjiptian nga 27 deri më 30 nëntor 2025. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Federata Botërore e Karatesë (WKF) përmes një njoftimi zyrtar drejtuar Federatës së Karatesë së Kosovës.
Maliqi është i vetmi garues nga Kosova që ka arritur të kualifikohet për këtë ngjarje madhore të karatesë botërore, duke fituar të drejtën e pjesëmarrjes përmes Kampionatit Kontinental të EKF-së (European Karate Federation). Ai do të përfaqësojë vendin në kategorinë Male Kumite -75 kg.
Përzgjedhja e tij në mesin e më të mirëve të globit është vlerësuar si një sukses i jashtëzakonshëm për sportin kosovar. Trajneri i tij, Agron Tosuni, është shprehur jashtëzakonisht krenar për këtë arritje:
“Kjo kualifikim është rezultat i një pune të palodhshme dhe përkushtimit të madh që Betimi ka treguar ndër vite. Ai është shembull i disiplinës, vendosmërisë dhe profesionalizmit. Jam i bindur që do ta përfaqësojë Kosovën me nder në skenën më të lartë të këtij sporti.”
Kampionati Botëror “Cairo 2025” do të mbledhë sportistët më elitarë të karatesë nga mbarë bota, dhe prania e një përfaqësuesi nga Kosova në këtë nivel përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Maliqin, por edhe një sinjal të qartë për potencialin në rritje të karatesë në vendin tonë.
Federata e Karatesë e Kosovës ka afat deri më 9 gusht 2025, ora 12:00 (GMT+0) për të konfirmuar pjesëmarrjen zyrtare të sportistit. Mospërgjigja brenda këtij afati do të interpretohet si refuzim i pjesëmarrjes dhe do të rezultojë në zëvendësimin e tij me një tjetër sportist nga lista rezervë e WKF-së.
Aktualisht, Betim Maliqi është në përgatitje intensive, i mbështetur nga trajneri dhe ekipi i tij, ndërsa mbështetja nga komuniteti sportiv dhe qytetar i Kosovës është e madhe dhe e ndjerë./Radio Star/