Policia e Kosovës ka arrestuar Drejtorin e një shkollë në Gjilan, si dhe një zyrtar në po të njëjtën shkollë.
Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitave dhe se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 19 mijë euro.
“KEQPËRDORIM I POZITËS APO AUTORITETIT ZYRTAR- Gjilan 28.10.2025 – NN. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, (njëri drejtor i shkollës dhe tjetri zyrtar në të njëjtën shkollë) pasi që, kanë keqpërdorur pozitat dhe kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me vlerë 19 067.69€. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Zyrtari tjetër i arrestuar është një i punësuar si bibliotekist me kontratë të përhershme, i cili dyshohet se për një periudhë të gjatë nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Sipas Policisë, në periudhën nga viti 2023 deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 19,067.69 euro.
Drejtori dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të dyshuarit të parë pranë autoriteteve kompetente, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore.
Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.










