Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit, nga 1126 testime të bëra, janë regjistruar 33 raste të reja pozitive me Covid. Mirëpo kohët e fundit ka rënë dukshëm interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar.
Ekspertët shëndetësor thonë se edhe Kosova sikurse vendet e tjera mund të përballet me një valë të re të Covid-19, andaj edhe bëjnë thirrje për vaksinim. Nga ky dikaster thonë se në stok janë rreth 900 mijë vaksina dhe shumica e tyre kanë afat deri në fund të muajit maj.
Asnjë qytetarë mesditën e së enjtes nuk ishte për t’u vaksinuar në Qendrën e Vaksinimit në Kalabri në kryeqytet.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar me thirrjet për vaksinim pasi sipas tyre edhe Kosova mund të përfshihet nga një valë e re COVID-19 e cila ka filluar të rritet në botë dhe Evropë. Nga ky dikaster thonë se në stok janë rreth 900 mijë vaksina dhe shumica e tyre kanë afat deri në fund të muajit maj.
Nga Ministra e Shëndetësisë bëjnë me dije se vaksinat në stok kanë afate të ndryshme të përdorimit, varësisht kur janë prodhuar. ”Asnjë vaksine nuk i del afati më herët se fundi i muajit maj, ndërsa pjesa më e madhe kanë afat edhe më të gjatë përdorimi. Rregull i administrimit që ne përdorim është që gjithmonë futen stoqet që kanë ardhur më herët dhe që kane afat më të shkurtër përdorimi”, njofton kjo ministri.
Se as Kosova nuk mund të shpëtojë nga një valë e re e koronavirusit e thotë edhe infektologu Shemsedin Dreshaj.
“Realisht gjithkund në Evropë, në Kinë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe kanë valë të ngritjes së incidencës të rasteve me COVID-19 dhe edhe ne dje i evidentum një numër të rritur të rasteve, pra ishin 52 raste të reja të cilat u evidentuan, krahasim me ditën paraprake është një rritje. Njëjtë është situata edhe me vendet e rajonit që është me fqinjët tanë përreth nesh ndaj edhe ne nuk mund të konsiderohemi si një oazë e kursyer nga ndonjë valë eventuale e re”, thotë ai.
Tutje Dreshaj thotë se variantet e reja do të mund të jenë më të lehta, por që Klinika Infektive është e përgatitur derisa bënë thirrje për vaksinim.
“Klinika Infektive disponon me numër të konsiderueshëm të shtretërve. Momentalisht kapacitet në shfrytëzim janë nën 30 për qind janë në shfrytëzim me pacientë, ndaj jemi të gatshëm, stafi është i përgatitur, përvoja është në anën tonë, pra kemi përvojë në menaxhimin e kësaj sëmundje, por nëse diçka mund të parandalosh është më mirë se sa të shërosh, ndaj parandaloni sëmundjen përmes vaksinimit”, thotë Dreshaj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm në 24 orët e fundit në tërë vendin janë administruar 313 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkaq në përgjithësi që nga fillimi i procesit të vaksinimit në Kosovë janë administruar mbi 1.8 milionë vaksina./rtklive/