Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim që të mos ketë organizim të faljes së namazit të Fitër-Bajramit në xhamitë e vendit e as në hapësira të tjera publike.
Në vendimin e BIK-ut thuhet se nuk do të organizohet as pritje në selinë e këtij institucioni fetar, e as në selitë e këshillave lokalë.
E myftiu i Kosovës Naim Tërnava, gjatë mesazhit të tij në xhumanë e fundit të muajit Ramazan, theksoi se muaj na privoi të gjithëve nga xhamitë tona për shkak të situatës pandemike, por që qëllimi i vetëm ishte ruajtja e shëndetit publik, derisa adhurimet ndaj Krijuesit secili ka mundur t’i kryej në shtëpitë e tyre.
“Myftiu foli poashtu për debatet e zhvilluara rreth çështjes së hapjes së xhamive, duke ritheksuar se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore, poashtu edhe me njohës të së drejtës së sheriatit.
Nga këto kontakte e takime u vlerësua se rreziku ekziston, andaj duhet të presim edhe një kohë për rihapjen e tyre, në mënyrë që të mos rrezikohen jetërat e shumë njerëzve”, thuhet në njoftim.
Myftiu Tërnava tha se me dispozitat e fesë Islame, jemi të obliguar që të respektojmë institucionet përgjegjëse, të respektojmë ekspertët dhe të ruajmë vetën e njëri-tjetrin.
“Në këto kushte tha myftiu, besimtarët janë të obliguar ta presin festën e Fiter Bajramit në shtëpitë e tyre bashkë me familjen, pa i lënë anash lutjet, ibadetet dhe festën duke respektuar masat e profesionalistëve”, thuhet më tej në njoftim.
Ai në fund uroj që Zoti ti ketë pranuar ibadetet e lutjet në muajin Ramazan, ta ruaj shëndetin, jetën dhe vendin tonë. /Telegrafi/