Sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me Bislimin dhe Petkoviqin do të vazhdojë për të punuar në zhbllokimin e marrëveshjes.
Duke iu referuar takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin javën e kaluar, ai tha se diskutimet ishin më sfiduese se kurrë.
Ai shprehi keqardhje që nuk pati përparim në zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit.
“Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh Kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes.”
Ndërsa zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.