Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, derisa bëri të ditur se në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje lidhur me targat, iu kthye ashpër gazetarëve. Bislimi u soll ashpër, duke u thënë se nuk është Nostradamus që ta dijë çka do të ndodhë.
“Çka do të ndodhë pas të hënës” u pyet Bislimi. “Vjen e marta pas të hënës, a e di ti çka ka me ndodhë? Nuk jam Nostradamus”, iu kthye zv/kryeministri njërit prej gazetarëve.
Ai ka thënë se me diskutimin e bërë me 17 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve.
“Nuk ka asnjë marrëveshje. Nuk ka propozim të Bashkimit Evropian. Ka elemente që kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza, por nuk ka dakordim. Nuk e di çka ka me ndodhë të hënën se jemi në bisedime”, theksoi ai.
Bislimi dje ka qëndruar në Bruksel, ku ka pasur takim me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.