Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e BQK-së, por ai thotë se janë diskutuar modalitetet se si kjo mund të arrihet brenda kësaj rregullore.
“Në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e Bankës Qendrore, për arsye se Banka Qendrore e Kosovës ka monopol në dizajnimin e politikës monetare, por në atë moment kur një politikë dizajnohet atëherë janë qytetarët ata të cilët janë të ngarkuar me zbatimin e saj. Për shembull, kur unë udhëtoj në Londër dhe vozis në anën e majtë, unë bëhem hisedar në zbatimin e një politike të komunë trafiku që kanë aranzhuar institucionet në Britani të Madhe, e njëjta ndodh këtu. Ne kemi Rregulloren e Bankës Qendrore, e cila specifikon qartë se si duhet të kryhet importi dhe eksporti i monedhave dhe në atë moment që është vërejtur se kjo ka krijuar komplikime për bartjen e mbështetjes financiare që Serbia dërgon për qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, ne jemi të treguar të gatshëm të diskutojmë modalitetet se si kjo mund të arrihet edhe më tej brenda Rregullores së Bankës Qendrore”, tha Bislimi në ATV.
Ai tha se ajo që do të dorëzojnë të premten, nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serbë është i mundshëm brenda kësaj Rregullore.
Kosova dhe Serbia, sot do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.
Të dy palët në takimin në nivel kryenegociatorësh që kishin të marën, janë zotuar që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë javës tha se nuk ka propozim që Kosova i pranon e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.
“Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”
“Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë”, u shpreh Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.